Një ditë pasi është arrestuar, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për Salih Tahirin, vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Ai, bashkë me të arrestuarin tjetër Shkëlzen Kajtazi, dyshohen për përfshirje në veprën penale “ushtrim i ndikimit” dhe janë në ndalim policor për 48 orë, raporton KTV.
Zyrtarë të kësaj prokurorie nuk kanë dhënë detaje lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar, me arsyetimin se mund të dëmtohen ato.
Në videon e publikuar, Sali Tahiri dëgjohet duke diskutuar për marrje ryshfeti në këmbim të lejeve ndërtimore.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nuk ka pranuar të flasë para kamerës.
Por, në një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se u bënë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt, dhe në mënyrë të pavarur e profesionale, ta hetojnë rastin.
“Pasi bëhet fjalë për një familjar timin nuk do të komentoj më tutje, deri kur organet ta vërtetojnë saktësinë dhe origjinalitetin e videos. Asgjë e prezantuar në këtë material nuk është me dijen time dhe refuzoj me përbuzje keqpërdorimin e emrit tim. Unë i besoj ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, burime të KTV-së kanë thënë se mund të ketë zgjerim të hetimeve, ku pritet të intervistohen disa kompani ndërtuese dhe zyrtarë të Komunës së Vushtrrisë nga drejtoritë e Inspeksionit dhe ajo e Urbanizmit.