Policia e Prizrenit, ka njoftuar se ka arrestuar një person i cili ishte nën hetimin e tyre që nga viti 2017.
“Me datën 22 tetor të 2017, rreth mesnates, në rrugën “Zanat” në Prizren, një i dyshuar e kishte sulmuar fizikisht një qytetar të cilit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore e më pas i kishte grabitur një telefon celular dhe disa gjësende tjera. Atëkohë viktima kishte pranuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren”, thuhet në raportin e tyre policor.
Tutje, njoftojnë se pas inicimit të rastit, hetues policorë, në vazhdimësi kanë punuar për identifikimin e të dyshuarit A.B, i cili është arrestuar dhe gjatë kontrollit në portofolin e tij është gjetur një sasi e vogël e narkotikut.
Gjatë hetimeve është gjetur edhe telefoni i cili i ishte shitur një personi dhe i njëjti do të shërbejë si provë materiale në procedura hetimore.
“Vlen të theksohet se i dyshuari ndiqet penalisht edhe për dhunë në familje”, thuhet në fund të raportit.