Një rast i privimit të kundërligjshëm nga liria është raportuar më 24 janar 2026 në Prizren. Sipas Policisë, katër persona të dyshuar, fillimisht të panjohur, dyshohet se me forcë e kanë futur një burrë në një veturë të tipit Seat me targa vendore, duke e marrë kundër vullnetit të tij, njofton raporti 24-orësh i Policisë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi viktima kishte pasur më herët kontakt në rrjetet sociale me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja. Pas rreth një ore mbajtjeje, të dyshuarit e kanë liruar viktimën, e cila kishte pësuar lëndime të dukshme trupore.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore kanë nisur menjëherë hetimet lidhur me rastin. Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar katër të dyshuar, ku njëri prej tyre është i mitur.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar si prova materiale veturën që dyshohet se është përdorur në rast, katër telefona mobilë dhe një elektroshok. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar dhe rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.