Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në veri të Mitrovicës

Një person është arrestuar të hënën në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin se është kapur në flagrancë duke kryer një vjedhje.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Policia, i arrestuari është një i mitur me inicialet N.Sh., ndërsa për të thuhet se përveç kësaj vjedhjeje, dyshohet se edhe në disa lokale të tjera ka kryer vjedhje në tentativë.

“Me datën 3 prill 2023 rreth orës 05:30, në Mitrovicën e Veriut, pas informacioneve se një person është duke kryer vjedhje në flagrancë, njësitë policore janë nisur në drejtim të këtij lokacioni, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin me iniciale N. SH. i mitur, i cili përveç se është hasur duke kryer vjedhje në flagrancë dyshohet se edhe në disa lokale të tjera ka kryer vjedhje në tentativë”, thuhet në raport.

Gjatë kontrollit nga Njësia e Hetimeve dhe Forenzikës, personit të dyshuar i janë gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 8.37 gram që dyshohet të jetë lëndë narkotike- marihuanë.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent, i cili ka udhëzuar që të iniciohen rastet ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje në tentativë’, ndërsa personi i dyshuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë”, thuhet në njoftim.