Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro

Jorgo Goro, i cili vazhdon ta mbajë pozitën e kryebashkiakut të Himarës, ndonëse humbi zgjedhjet më 14 maj, është arrestuar këtë të shtunë nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Në pranga, siç raporton “Euronews”, kanë përfunduar edhe katër persona të tjerë.

Goro, që është pjesë e Partisë Socialiste, ka qenë në SPAK më herët mbi dyshimet me shkeljen e barazisë në tendera, por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës kur mbante mandatin e tretë të kryebashkiakut të Himarës.

Këtyre gjetjeve, i është bashkangjitur edhe një kallëzim nga Fredi Beleri, i cili nga paraburgimi ka përforcuar zërat jo vetëm për shpërdorim detyre, por këmbëngul se ka edhe shkelje të tjera në lidhje me detyrën dhe kompetencat e Goros si kryebashkiak i Himarës.

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës më 14 maj, mbetet në burg pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje. Beleri ende nuk e ka kryer betimin, ndërsa SPAK-u ia shqiptoi dënimin me mbi dy vjet burgim ditë më parë. 

Artikuj të ngjashëm