Policia e Kosovës ka arrestuar personin i cili kërkohej me dyshimin se ka vrarë një person tjetër, për të cilin KOHA pati raportuar se viktima dhe i dyshuari janë të afërm.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në ndalim policor.
Në njoftimin që PK-ja pati lëshuar për kërkimin e tij, thuhej se konsiderohej se ai ishte i rrezikshëm dhe i armatosur.
“Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 25.04.2021, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar: Faton (Shaban) BRAHIMI, i cili kërkohej për veprën penale: “Vrasje”. Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe me datë 29.04.2021, është bërë arrestimi i tij”, thuhet në njoftim.
Vrasja ndodhi në fshatin Novosellë të Pejës më 24 prill. Rasti dyshohet se ka ndodhur pas mosmarrëveshjeve për prona.