Është arrestuar edhe një person në Prizren në kuadër të aksionit kundër degradimit të mjedisit që ishte ndërmarrë më 4 qershor të këtij viti. Numri total i të arrestuarve në aksionin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës ka arritur në 19 sosh.
Policia ka thënë se i arrestuari i fundit nuk kishte mundur të identifikohej fillimisht në aksionin e 4 qershorit. Por, pas analizimit të provave është arrestuar dhe i janë sekuestruar mjetet me të cilat dyshohet se ka kryer veprën penale.
“Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një kamion dhe një eskavator”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
I dyshuari i fundit, besohet në vazhdimësi nga shkurti i vitit 2025 deri më 4 qershor të vitit 2025, në rajonin e Prizrenit përreth lumit Drini i Bardhë, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe ka shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr.
“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale 'Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit' nga neni 338 të KPRK-së. Po ashtu, nga veprimet e lartëcekura është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK- së”, thuhet në njoftim.
Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Gjatë aksionit të 4 qershorit fillimisht ishin arrestuar 18 të dyshuar.