Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet 41-vjeçari, dyshohet për vjedhjen e stolive të arit në vlerë 20 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Vushtrri ka arrestuar një 41-vjeçar i cili dyshohet se është përfshirë në një rast të vjedhjes në Fushë-Kosovë, ku thuhet se janë vjedhur stoli ari në vlerë rreth 20 mijë euro.

Rasti thuhet se ka ndodhur më 20 prill të këtij viti ndërsa i dyshuari me iniciale E.Xh. është arrestuar mëngjesin e së enjtes.

“Sot rreth orë 06:00, në Vushtrri, nga zyrtarët policorë të stacionit të Fushë-Kosovës, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, i cili ka ndodhur në Fushë-Kosovë, me datën 20.04.3023, saktësisht në një shtëpi ku janë vjedhë stoli ari (vlera rreth 20000 euro) dhe janë shkaktuar dëme të tjera materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore me vendim të prokurorit, rasti thuhet se është proceduar te zyrtarët e stacionit policorë në Vushtrri, pasi ndaj të dyshuarit thuhet se janë aktive dy urdhëresa të gjykatës.