Arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji u është caktuar si masë të pandehurve A.L. dhe Sh.B. që të dielën ishin arrestuar nën dyshimin se po transportonin drejt Kosovës nga Maqedonia e Veriut para false.
Gjyqtari i procedurës paraprake të Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit e ka refuzuar si të pabazuar.
Në njoftim të Gjykatës Themelore të Ferizajt thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, dhe se edhe me masën e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës mund të arrihet qëllimi që të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë dhe të rrjedhë normalisht zhvillimi i procedurës penale.
Sipas arsyetimit, me këtë masë eliminohet “edhe mundësia e përsëritjes së veprës penale, sepse dyshimi është se të pandehurit kanë transportuar paratë e falsifikuara, duke i transportuara nga territori Republika e Maqedonisë së Veriut në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Mundësia për të përsëritur veprën penale është minimale edhe për faktin e gjendjes shëndetësore të të pandehurit”, thuhet në njoftim.
Themelorja ka thënë se po ashtu se mënyra e dyshimit dhe rrethanat se si është kryer vepra penale “s’kanë ndikim në këtë fazë të procedurës”, meqë parashihen si rrethana të tjera me rastin e nxjerrjes së vendimit gjyqësor për fajësinë e të pandehurve.