Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Apeli anulon aktvendimin e Themelores për lirimin e të dyshuarve për transportin e 1 mln eurove

1mln

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj tre të pandehurve të akuzuar për transportin e 1 milion eurove, të cilat u kapën në pikëkalimin kufitar në Merdar. Çështja tani është kthyer në rivendosje. 

Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mosekzistimin e dyshimit të bazuar. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Po ashtu, ka gjetur tutje se arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.

“Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, me aktvendimin PPPS.nr.10/2026, i datës 27.02.2026, ndaj të pandehurve: E.A., A.K. dhe A.L., për shkak të veprës penale Shpërlarja e parave nga neni 302, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 par.1 pika 1.1 të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit e Financimit të Terrorizmit, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit i ka liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27.02.2026”, thuhet në vendimin e Apelit.

Prokuroria Speciale ishte ankuar pasi Themelorja refuzoi kërkesën për paraburgim të tre të dyshuarve, duke i liruar. Në arsyetimin e Themelores thuhej se nuk ka pasur as prova minimale për veprën për të cilën akuzohen. 

Të dyshuarit u kapën duke transportuar 1 milion eurot e padeklaruara të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e një minibusi. E.A. po drejtonte mjetin. Njëri prej të dyshuarve, A.K., ishte polic në Tiranë që u suspendua pas arrestimit. 

Në brendi të minibusit janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga bankënora të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 deri në 200 euro.