Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë për rrahje të bashkëshortes dhe vjehrrës në Kamenicë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.H., për shkak të dhunës në familje.

Prokuroria njofton se i pandehuri, nga muaji qershor e deri në muajin shtator të këtij viti, në komunën e Kamenicës, ka rrahur bashkëshorten e tij A.S. dhe nënën e saj të paralizuar F.S.

“Me ç’rast të dëmtuarës F.S., si pasojë e goditjeve i shkakton lëndime trupore. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, nga neni 188 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, i pandehuri me qëllim të frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë, të dëmtuarat i kërcënoi seriozisht me fjalë se nëse e raportojnë rastin, do t’i vrasë, me ç’ rast ka kryer edhe veprën penale ‘Kanosje’.

“Po ashtu, i njëjti edhe në Gjykatën Themelore në Gjilan, gjatë mbajtjes së seancës për shqyrtimin e urdhrit mbrojtës, e kanos me fjalë të dëmtuarën A.S., te e cila ka shkaktuar frikë të jashtëzakonshme. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Kanosje’’ nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Edhe Arrestohet kamenicasi, rrahu bashkëshorten dhe nënën e tij Kronikë Arrestohet kamenicasi, rrahu bashkëshorten dhe nënën e tij

Në aktakuzë është propozuar që Gjykata kompetente në Gjilan, t’ia vazhdojë masën e paraburgimit të pandehurit, pasi që ende ekziston rreziku real i ndikimit te të dëmtuarat dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Në fund, Prokuroria ka propozuar që Gjykata Themelore në Gjilan, pas vlerësimit të provave, të pandehurin të e shpallë fajtor për veprat penale të cilat iu vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili do t’i përgjigjej të gjitha rrethanave të kryerjes së veprave penale dhe me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.