Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë ndaj një të dyshuari për kanosjen e një gazetari

Foto: Koha / Ilustrim

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.Q., i cili ndodhet nën masën e paraburgimit, për shkak të kanosjes së një gazetari.

Sipas aktakuzës, më20 shtator në lagjen Bresje në Fushë Kosovë, përkatësisht në tregun e kësaj lagjeje, i pandehuri H.Q., e ka kanosur me fjalë dhe gjeste se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit N.T. (gazetar), lidhur me një reportazh të cilin ishte duke e realizuar i dëmtuari, për kushtet në treg dhe problemet që ballafaqohen tregtarët.

“Derisa i dëmtuari ka qenë duke e pritur policinë pas njoftimit të tyre për këtë rast, i pandehuri e merr në dorë një shufër hekuri me ngjyrë të zezë- mjet ky që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor, ku me këtë niset në drejtim të dëmtuarit, duke i thënë: ‘Nxirri fshi të gjitha xhirimet, ja po t’i thej krejt’, në atë moment ndërhyjnë disa qytetarë dhe i pandehuri H.Q., arrestohet në vendin e ngjarjes nga zyrtarët policorë, andaj me këtë i njëjti kryen veprën penale ‘Kanosja’, pasi me veprimet e tij i ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën të dëmtuarit”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.