Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për shpëlarje të parave

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka dënuar me gjashtë muaj burg dhe 10 mijë euro gjobë P.K. për veprën penale shpëlarje e parave.

Me kërkesën dhe pëlqimin e të akuzuarës P.K., dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i është zëvendësuar me gjobë në shumë 8 mijë euro, kështu që e akuzuara duhet të paguajë dënimin unik me gjobë prej 18.000 eurosh në afat prej dy muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, thuhet nga Themelorja. 

Po ashtu të akuzuarës i konfiskohet shuma e parave prej 91.080 funte, si pasuri e përfituar me veprën penale dhe obligohet Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në Prishtinë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, t’i marrë nën administrim dhe menaxhim paratë e konfiskuara me këtë aktgjykim dhe e njëjtat të administroi në përputhje me Ligjin mbi Agjencinë, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.