Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

5 vjet burgim për të dënuarin për grabitje në një pompë derivatesh në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor të pandehurin F.Z., për grabitje, duke e dënuar me 5 vjet burgim dhe 1,000 euro gjobë.

Sipas njoftimit të gjykatës të premten, grabitja është kryer në një pompë derivatesh më 27 tetor të vitit 2018.

"I pandehuri F.Z., akuzohet se me datën 27 tetor 2018 rreth orës 03:00, në pompën e derivateve të naftës 'A. P.' në fshatin Kramovik, në bashkëkryerje me të akuzuarit A. A. dhe Sh. Ll. të pajisur me armë zjarri dhe atë pushkë automatike AK-47 dhe revole, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve të naftës 'A. P.', futen brenda në lokalin e pompës, fillimisht i pandehuri Sh. i pajisur me armë AK-47 më pas i pandehuri F. me një pistoletë dhe nën kërcenim e këtyre armëve i detyrojnë të dëmtuarit Sh. K. dhe R. S., punëtor në pompë që të shtrihen në tokë gjersa gjatë kësaj kohe të pandehurit nga arka marrin të holla të gatshme prej treqind (300) euro si dhe rreth njëqind (100) boksa cigare të llojeve të ndryshme e më pas largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të një pylli ku ndodhej duke i pritur i pandehuri A. A”, thuhet në njoftim.