Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 24 vjet burgim A.S. si dënim unik për vrasjen e kolegut të punës, A.S. më 6 maj 2020 në Lipjan. Po ashtu, për “shtytje” dhe “moslajmërim të veprës” vëllai i të dënuarit, B.S. është dënuar me 18 muaj burgim.
Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 6 majit 2020, tani i dënuari A.S. pati kryer vrasjen e kolegut duke shtënë tri herë me armë në drejtim të tij. Në aktakuzë thuhej se fillimisht i dyshuari dhe viktima ishin përplasur për shkak të transportit me veturën kombi, që ishte nën pronësi të firmës ku punonin bashkë. Pas përplasjes, i dyshuari pati shkuar në shtëpi bashkë me të dënuarin tjetër B.S. për të marrë një armë zjarri dhe me t’u kthyer në vendpunishte pati vrarë viktimën. Si pasojë e plagëve, viktima pati vdekur në QKUK.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari A.S. pas rikualifikimit të veprës nga “vrasje e rëndë” në “vrasje” është dënuar me 23 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit e gjysmë burgim. Dënimi unik ishte 24 vjet burgim.
Në dënim, të dyve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim./BetimipërDrejtësi