Kronikë

Gjatë fluturimit me parashutë në Prizren humb jetën një person

Një person ka humbur jetën gjatë një fluturimi me parashutë në Prizren, të shtunën rreth orës 13:00. Bëhet fjalë për Artan Venharin,  që ishte edhe trajner në Federatën Aeronautike të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanolli.

“Rreth orës 13:00, policia është njoftuar për një incident që ka ndodhur në Prizren, në zonën ku bëhen fluturimet me parashutë, ku ka qenë duke ushtruar grupi që bën fluturime. Nga informatat e para, një 45 vjeçar ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një person është lënduar”, ka thënë Osmanolli përmes një komunikate.

Venhari ka qenë edhe zv/Auditor i Përgjithshëm i Kosovës dhe zv/Menaxher i projektit DEMOS për përkrahje të Komunave të Kosovës.

Osmanolli ka shtuar se në vendin e ngjarjes janë policia e hetimeve rajonale dhe po merren me rastin.

Sezoni i fluturimeve me parashutë është hapur zyrtarisht në Prizren më 5 korrik.