Kronikë

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau gruan në Prizren

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau gruan në Prizren
14:49

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau gruan në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se i dyshuari për vrasjen e gruas në Prizren, është ndaluar për 48 orë, ndërsa pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për paraburgim.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se mbrëmë më 6 gusht 2019, rreth orës 23:18 në Prizren në rrugën “Hysni Morina”, ka ndodhur një vrasje me armë zjarri.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari i gjinisë mashkull me inicialet B.V., dhe viktima e gjinisë femër A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes janë sekuestruar:

- Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074;

- Dy karikatorë; si dhe

- 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se pas verifikimeve të bëra në databazën e Prokurorisë, të njëjtit nuk kanë pasur ndonjë rast të paraqitur apo të raportuar për dhunë në familje apo rast të ngjashëm.

“Prokuroria Themelore në Prizren, rastet e dhunës në familje i trajton me prioritet dhe ka të caktuar dy prokuror që merren me trajtimin e rasteve të tilla. Andaj, Prokuroria Themelore në Prizren, si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi ligjore dhe Kushtetuese mbetet e përkushtuar për luftimin e çfarë do lloj natyre të kriminalitetit që bie mbi kompetencën dhe përgjegjësinë e kësaj Prokurorie”, thuhet në njoftim.

08:13

61 vjeçari vret gruan e tij në Prizren

Një grua është qëlluar për vdekje me një armë zjarri, nga bashkëshorti i saj.

Sipas njoftimit të Policisë rasti ka ndodhur të martën pas orës 23:00 në rrugën  ‘Hysni Morina’ në Prizren, ku fillimisht është raportuar për plagosje e më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës femër.

Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë.

Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

"Njoftohet se i dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958", thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërkaq me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.