Mjeku kujdestar në Spitalin e Mitrovicës, Vehbi Leku, ka bërë të ditur se në këtë spitale ditën e sotme kanë kërkuar ndihmë mjekësore 4 persona, prej të cilëve një ka qenë i plagosur me armë zjarri.
Ai tha se pas tretmanit mjekësor që të katër personat janë jashtë rrezikut për jetë.
“Është vetëm një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka një plagë tejshpuese nga automatiku, por plumbi ka hyrë dhe ka dalë, plaga është përpunuar, kemi bërë përpunimin kirurgjik. Nuk ka deficit neurologjik, nuk ka kurrfarë defekti dhe i sëmuri ndjehet mirë. Kurse, i dyti ka qenë me plagë ndrydhëse në regjionin e fytyrës. Më vonë janë lajmëruar edhe dy raste të tjera me lëndime traumatike. Të dy pas përpunimit kirurgjik janë lëshuar në shërim shtëpiak. Kurse, i lënduari pjesëtar i Policisë së njësive speciale të Kosovës nga Gjakova me marrëveshje të dyanshme, me kërkesë të familjarëve janë transportuar në Spitalin e Gjakovës”, tha Leku.
I pyetur se a ka pasur shtetas të huaj që kanë marrë trajtim në Spital, ai tha se nuk e di nëse ka pasur, pasi, siç ka thënë, trajtime mjekësore ofrojnë për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë.
“Nuk e kam atë informatë, më duket se është një shtetas jo i Kosovës, mirëpo në emergjencë nuk i kam të dhënat. Një serb është trajtuar dhe është menduar ndoshta që ka qenë shqiptar e kanë goditur, nuk po më kujtohet emri është përpunuar me ato lëndime, kurse nuk e dimë çfarë nacionaliteti ka. Ne ndihmën e japim pavarësisht a është i tjetër nacionaliteti apo kush është. Tash për momentin nga ngjarjet e mëngjesit kemi vetëm 4 të lënduar, një me armë zjarri, kurse të tjerët kanë lëndime më të lehta dhe fatmirësisht që të gjithë jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ai.