Kronikë

Rasti i therjes me thikë ka ngjallur frikë në shkollën “7 Marsi” të kryeqytetit

Tri herë me thikë është goditur V.P., mësuesja 49-vjeçare e shkollës “7 Marsi” në Prishtinë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:00 të së martës, në korridoret e shkollës, derisa e dyshuara në këtë rast, prindi një fëmije të klasës parashkollore, është arrestuar nga Policia, raporton KTV.

Derisa ende nuk dihen motivet, ngjarja ka shqetësuar nxënësit, prindërit por edhe kolegët e mësimdhënëses.

Megjithatë, më i shqetësuar ka qenë bashkëshorti i mësueses, që qëndronte pranë Klinikës së Emergjencës.

Mësuesja V.P. , pas trajtimit që ka marrë, është në gjendje stabile.

Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili, në rrjete sociale, ka bërë të ditur se e ka vizituar mësuesen në QKUK dhe ka uruar shërim të shpejtë për të.

Policia, përveçqë ka arrestuar të dyshuarën, B.D., 38-vjeçare, ka konfiskuar edhe thikën që dyshohet se është përdorur në këtë incident, derisa është duke i hetuar rrethanat e këtij rasti.