Vrasjen në kazino dyshohet se e ka bërë një zyrtar policor, Policia e arreston Foto: Koha

Vrasjen në kazino dyshohet se e ka bërë një zyrtar policor, Policia e arreston

17 mars 2019 15:16

Policia e Kosovës po mban konferencë për media për vrasjet në Suharekë.

Sipas Policisë, në vrasjen e parë në kazino, në vendin e ngjarjes është kuptuar se bëhet fjalë për një person që është vrarë me armë zjarri.

“Në bazë të provave materiale, viktima është J.A. nga fshati Mushtisht. Kemi ardhë në përfundim se i dyshuari i vetëm është një zyrtar policor, rreshter në veri të Prizrenit me iniciale S.SH. Policia ka bërë kontrollin në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar”, tha Policia, transmeton Koha.net.

Sipas komandantit të Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Inspektorati i Policisë përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje lidhur me rastin:

Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot nga Policia e Kosovës për një rast gjuajtje me armë zjarri në Suharekë i cili kishte ndodhur në një lokal (kazino) në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Reshtan të Suharekës.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent dhe pas grumbullimit të informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, dyshohej për përfshirjen e një zyrtari policor si të dyshuar në këtë rast.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pas orës 12:00 të dyshuarin Sh. S (zyrtar policor me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Me urdhëresë të prokurorisë, hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Suharekë dhe në një shtëpi banimi.

Gjatë kësaj bastisje është konfiskuar një armë e tipit “Glock 9x19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

Të dyshuarit tashmë të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme