1 perditesime
17:15

Një zjarrfikës në Gjakovë merr trajtim mjekësor, zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme

Një zjarrfikës ka marrë trajtim mjekësor sot si pasojë e tymit nga zjarri që kishte përfshirë objektin e “Viva Fresh Store” në qendër të Gjakovës.

Lajmin e ka bërë të ditur policia e Kosovës që ka thënë se dëmet janë të konsiderueshme nga ky zjarr.

Në një përgjigje për Koha.net, Policia e Kosovës, rajoni i Gjakovës ka thënë se të gjitha njësitet vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga komunat tjera.

“Me datë 10.03.2019 në ora 15:45 stacioni policor në Gjakovë ka marr informacion se objekti i qendrës tregtare ‘Viva Fresh Store’ që gjendet në qendër të qytetit të Gjakovës ishte përfshirë nga zjarri. Të gjitha njësitë relevante kanë dal në vendin e ngjarjes. Janë evakuuar të gjithë personat që ishin brenda objektit. Policia ka kërkuar ndihmë edhe nga komunat tjera. Dëmet janë të konsiderueshme ndërsa të lënduar nuk ka përveç një zjarrfikësi. Të gjitha njësitë vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e PK-së.

16:15

Zjarr i madh në një supermarket në Gjakovë, s’ka të lënduar

Një zjarr i madh ka kapluar objektin e dyqanit “Viva Fresh” në qendër të Gjakovës. Sipas Policisë, asnjë person nuk është i lënduar.

“Jemi në lokalizim e sipër të zjarrit por fatmirësisht të gjithë personat janë evakuuar dhe nuk ka rrezik për njerëz”, ka thënë për KTV-në, Kristë Gjokaj, komandant i Policisë në Gjakovë.

Ai ka shtuar se ende është herët për të kuptuar shkaqet e këtij zjarri.