Kronikë

Një muaj paraburgim shoferit të kamionit që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Gjilan, arrestohet edhe pronari i firmës

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit M.A.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatë.

LEXO EDHE: Prokuroria kërkon paraburgim për shoferin e kamionit që shkaktoi dje një aksident të rëndë në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan, thotë se dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​​

Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se është arrestuar edhe pronari i firmës.

“Në rrugën “Idriz Seferi”, Sheshi “Rexhep Mala, Nuhi Berisha”, Gjilan, lidhur me aksidentin e ndodhur në Gjilan është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident, me dyshimin se automjetit transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon kontroll teknike. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim.