Kronikë

Grabitet BKT-ja, hajnat ikin me veturë të zezë të tipit 'Golf'

Persona të armatosur kanë grabitur një bankë në Veternik. Një person, i cili punonte si sigurim në bankë është lënduar dhe tani po merr tretman mjekësor. 

Siç raporton KTV-ja, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, gjersa personat e maskuar kanë arritur të ikin në drejtim të panjohur me një veturë të zezë të tipit 'Golf'.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Policia thotë se strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, po ashtu personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Personi i lënduar (sigurim i bankës), është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë, tranmseton Koha.net.

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.

Image