Dy të vdekur në aksidentin mes tri veturave në rrugën Prishtinë – Gjilan, ambasadorja e Turqisë e lënduar Foto: Koha

3 viktimat e familjes Shala varrosen nesër

16 November 2018 18:31
17:05

Agron Shala, Osman Shala, Arife Shala do të varrosen të dielën në ora 12:00, raporton KTV.

Të tre anëtarët e familjes Shala nga Gjilani vdiqën mbrëmë në një aksident trafiku në Mramor ku ishte e përfshirë edhe eskorta e Ambasadës së Turqisë, me ç’rast është lënduar edhe ambasadorja turke Kivlicim Kiliç.

Me këtë rast kishte vdekur edhe Elfete Rashiti, 65 vjeçarja, e cila u varros sot në Gjilan.

13:58

Prokuroria jep dyshimet e para që mund të kenë shkaktuar aksidentin në Mramor

Dyshimet e para lidhur me aksidentin tragjik janë se vetura e tipit “Opel Corsa”, ka qenë shkaktari i aksidentit.

Një gjë të tillë ia ka bërë të ditur KTV-së, prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, sipas të cilit dyshohet se vetura në fjalë ka hyrë gabimisht në tejkalim.

Megjithatë, sipas tij mbetet që vlerësimin përfundimtar për aksidentin në të cilin u përfshinë 3 vetura, ta japë eksperti i komunikacionit që ka qenë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipe e tjera të forenzikës.

Njëherësh zëvendëskryeprokurori i Prishtinës, Berisha, nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe ndonjëra nga veturat e tjera të kenë bërë shkelje të rregullave të komunikacionit, derisa shkaku i gjendjes shëndetësore të personave të aksidentuar, nuk ka persona të ndaluar.

12:19

Ambasadorja Kiliç gjatë ditës do të dërgohet në Turqi për tretman mjekësor

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se të vdekurit nga aksidenti i mbrëmshëm në Mramor, janë të gjithë të nacionalitetit shqiptar ndërsa të lënduar janë dy turq, duke përfshirë edhe ambasadoren Kivilcim Kiliç.

“Ambasadorja është duke u trajtuar në mjekimin intensiv qendror në QKUK”, ka thënë për KTV-në, Dafina Basholli, mjeke kujdestare në emergjencë.

Ndërkaq, Ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa, më pas ka thënë për KTV-në se ambasadorja turke, gjatë ditës do të dërgohet në Turqi me aeroplan ambulant special.

Basholli gjithashtu tha se të lënduarit e tjerë janë hospitalizuar nëpër klinika përkatëse dhe nuk janë më në emergjencë. Derisa policia ende nuk ka dhënë detaje për shkaktarët e aksidentit.

Ngushëllime familjes nga fshati Ponesh i Gjilanit i kanë shprehur presidenti, Hashim Thaci, kryeministri Ramush Haradinaj e kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

11:08

Shkon në katër numri i të vdekurve nga aksidenti i mbrëmshëm në Mramor

Ka vdekur edhe personi i katërt i lënduar mbrëmë në Mramor, magjistralja Prishtinë-Gjilan.

Lajmi është bërë i ditur sot në raportin e Policisë së Kosovës.

Policia thotë se ai ka ndërruar jetë mbrëmë në QKUK, transmeton Koha.net.

Të vdekur janë të gjithë të nacionalitetit shqiptar ndërsa të lënduar, janë turq. Të vdekur janë 2 persona të gjinisë mashkullore dhe dy të gjinisë femërore.

Të lënduarit tjerë janë duke u trajtuar në QKUK.

23:08

Haziri ngushëllon familjen Shala, pjesëtarë të së cilës vdiqën në aksidentin në Mramor

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Shala nga Poneshi, pasi siç bën me dije në njoftimin e saj kjo Komunë, tre anëtarë të tyre humbën jetën tragjikisht pas aksidentit të orëve të mbrëmjes në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

“Me trishtim e mora lajmin nga mediat për humbjen e jetës së tre bashkëqytetarëve të mi nga Poneshi i Gjilanit në aksidentin që ndodhi në orët e mbrëmjes në magjistralen Prishtinë-Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shala për humbjen e më të dashurve të tyre. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri dërguar familjes Shala.

Jo zyrtarisht merret vesh se të vdekur në aksidentin e sotëm në rrugën Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor, kanë vdekur Agron Shala, 22 vjeç, Arife Shala, 88 vjeç dhe Elfete Rashiti, 65 vjeç.

Në gjendje kritike është edhe Osman Shala, 65 vjeç.

Në mesin e të lënduarve rëndë është edhe e para e Turqisë në Kosovë, Kirilicim Kiliç, që po trajtohet në QKUK.

20:44

Kiliç ka marrë lëndime të rënda në aksidentin e sotëm, mëson Koha Ditore

Lëndime të rënda ka marrë ambasadorja e Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.

Avdush Bajgora, specialisti i cili e ka pranuar në Emergjencë ambasadoren, në një bisedë për “Kohën Ditore” ka folur për gjendjen e saj.

Ai ka thënë se Kiliç ka lëndime serioze, por është jashtë rrezikut për jetë.

“Klinika Emergjente prej pranimit të pacientes ka bërë një sërë kontrollesh e analizash si rentgenin, CT-në e kokës, qafës… Nga rezultatet që i kemi deri tash del se pacientja ka lëndime të toraksit (kafazit të kraharorit v.j.)”, ka thënë ai.

Bajgora ka shpjeguar natyrën e lëndimeve të ambasadores.

“Ka fraktura (thyerje) në klavikulës se majtë… ka katër brinjë të thyer dhe kontuzion (ndrydhje) hemoragjik të brendshëm të mushkërive”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet të bëhen kontrolle shtesë për të parë nëse ka lëndime të tjera abdominale.

Image
Njëra nga tri veturat e përfshira në aksidentin e sontëm në Mramor
19:18

Shkon në tre numri i të vdekurve nga aksidenti në Mramor

Duke mos i përballuar lëndimeve të marra, ka vdekur edhe një person i cili u përfshi në aksidentin në Mramor.

Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, Flora Ahmeti.

Me këtë të fundit, shkon në tre numri i të vdekurve.

“Në ora 18:25 kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë një nga personat e lënduar në aksidentin që ndodhi sonte në fshatin Mramor”, ka thënë ajo.

18:31

Dy të vdekur në aksidentin mes tri veturave në rrugën Prishtinë – Gjilan, ambasadorja e Turqisë e lënduar

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 17:00, ku dy persona kanë humbur jetën.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin Prishtinës, tha për Koha.net se aksidenti ka ndodhur saktësisht në fshatin Mramor.

“Në aksident trafiku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 6 persona. Dy prej tyre kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërkohë që 4 personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”, tha ajo.

Burime të KTV-së kanë konfirmuar se në aksident është përfshirë edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç.

Bujar Gashi, drejtor i Emergjencës, i ka thënë KTV-së se kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ambasadorja veçse ishte dërguar në emergjencë.

“Ajo veçse është dërguar në emergjencë para se të mbërrinim ne, është dërguar nga Policia ose ndonjë veturë e eskortës”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme