Arrestohet shtetasi i Shqipërisë Albert Veliu, ai kishte kërkuar azil në Kosovë

Arrestohet shtetasi i Shqipërisë Albert Veliu, ai kishte kërkuar azil në Kosovë

12 tetor 2018 09:06

Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten shtetasin nga Shqipëria Albert Veliu, personazhi kryesor në çështjen e audiopërgjimit ku pretendohet se ai flet me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për trafikimin drejt Italisë të një sasie marijuana, bën të ditur “Zëri i Amerikës”. Veliu ishte kapur më herët në Kosovë dhe ndaluar për kalim të paligjshëm të kufirit. Menjëherë më pas ai kërkoi azil.

Arrestimi i tij në Kosovë, u bë pasi në fundjavë Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për urdhër arresti ndaj tij, nën akuzën e “kallëzimit të rremë”, për rastin e audiopërgjimit. Tani pritet që autoritetet e Drejtësisë në Kosovë të shprehen për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Avokati i Veliut, Tom Gashi ka reaguar duke u shprehur se “klienti im pretendon se jeta e tij është e rrezikuar nëse ekstradohet në Shqipëri për shkak të implikimit të tij në aferën që ndërlidhet me zotin Agron Xhafa vëllanë e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë”. Avokati thotë se beson që “Gjykatat në Kosovë do t'i respektojnë të drejtat e personave që kërkojnë azil politik të garantuar me ligje të Kosovës dhe me konventa ndërkombëtare dhe nuk do ta ekstradojë Albert Veliun të cilit i është pranuar azili në Kosovë”.

Ndërkohë në Shqipëri, në qeli, për të njëjtën çështje është dhe një tjetër person Fredi Alizoti, i cili ka pranuar në Prokurori, fillimisht më 1 Qershor, por dhe së fundmi më 27 Shtator, në prani të avokatit të tij, se Albert Veliu, i kishte kërkuar të bënin një regjistrim bisede ku ai të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj, dhe se në këmbim do të merrnin një shumë prej 200 mijë eurosh. Prokuroria thotë se dhe përgjimet e bisedave telefonike të Alizotit konfirmojnë një variant të tillë.

Deputeti demokrat Ervin Salianji publikoi dy ditë më parë një video të një bisede që Alizoti ka zhvilluar me një tjetër person të panjohur, ku ai thotë se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e ka dërguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu. Sipas Alizotit kjo ka ndodhur në datën 1 (pa përcaktuar muajin) por që duket se korrespondon me datën 1 Qershor kur ai ka dhënë dëshminë e parë në Prokurori, pasi po të njejtën ditë ai i ka treguar në telefon Drejtorit të Policisë së Fierit se në audiopërgjimin ai ka luajtur rolin e vëllait të ministrit. Sipas Alizotit gjatë udhëtimit Drejtori Veliu e ka provokuar duke e pyetur se me kë është i rreshtuar politikisht.

Policia e Shtetit përmes një deklarate mohoi që Drejtori Veliu të ketë qenë në asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti. shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes.

Për përmbajtjen e bisedës në video, Alizoti është pyetur të enjten nga prokurorët e çështjes, ndërsa deputeti Salianji është thirrur për të dhënë shpjegime ditën e premte.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme