Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim D.Z., për shkak se sulmoi dhe kanosi gjyqtarin mbikëqyrës të Degës në Drenas, Shefqet Balecin.
Në njoftimin e gjykatës sqarohet se i pandehuri më 5 gusht në Drenas i kishte dalë në rrugë gjyqtarit duke e kanosur dhe sulmuar me thikë. Kjo për shkak të një aktgjykimi që kishte dhënë gjyqtari Baleci ku i pandehuri ishte dënuar me burgim.
Sipas gjykatës, ky i pandehur është i dyshuar edhe për pesë vepra penale të tjera dhe i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për dhunë në familje.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.Z. me datë 05.08.2025 rreth orës 20:30, në rrugën e ‘Jasharve’ në fshatin Çikëtove e Re, Gllogoc, lidhur me detyrën zyrtare te palës se dëmtuar Sh.B. si Gjyqtar ne Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Gllogoc, për shkak të veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e Aktgjykimit, me të cilin i pandehuri D.Z. është dënuar me gjashtë (6) muaj burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro, i pandehuri nga mbrapa ju ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke ju drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba” pastaj prej xhepit kishte nxjerr një mjet të rrezikshëm – thikë me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmoj palën e dëmtuar Sh.B., duke tentuar që ta godas në trup, mirëpo në mes kishte ndërhyrë bashkëshortja e palës se dëmtuar, dëshmitarja N.B. duke mos lejuar të pandehurin që të godas palën e dëmtuar, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar dhe Kanosje”, thuhet në njoftim.