Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin D.Z., i cili dyshohet se ka penguar një gjyqtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 7 tetor, në fshatin Berishë të Komunës së Malishevës, i dyshuari ka tentuar me forcë ta pengojë gjyqtarin N.Q. nga Gjykata Themelore e Gjakovës – dega në Malishevë, i cili ishte në terren për një kontest pronësor.
Nga dosja e Prokurorisë thuhet se i dyshuari fillimisht kishte debatuar me avokatin e palëve duke e pyetur “pse ke hyrë në këtë lëndë”, e më pas gjyqtari i ishte prezantuar si zyrtar i çështjes dhe kishte kërkuar që të mos pengohej seanca. Megjithatë, i dyshuari i ishte përgjigjur me tone të larta: “Unë jam mësuar të shkoj në polici, thirre edhe njësinë speciale”.
Pas kësaj, ai kishte tentuar ta pengonte gjyqtarin fizikisht duke e shtyrë me duar në gjoks.
Për këto veprime, D.Z. dyshohet për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se ekziston rreziku që i pandehuri, nëse lihet i lirë, mund të ndikojë në dëshmitarë ose të përsërisë veprën penale, prandaj ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit.
Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 7 tetori deri më 6 nëntor 2025.