Kronikë

Kontrollohen 11 biznese, konfiskohen mallra të ndryshme

Task Forca për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit ka zhvilluar një aksion në tri regjione të Kosovës, Prishtinë, Prizren dhe Gjakova, ku janë kontrolluar 11 subjekte tregtare që dyshohen për mallra të falsifikuara. Sasia e produkteve të konfiskuara deri më tani është mbi 800 copë (produkte të ndryshme) si dhe 350 gram metale të çmuara (argjend)

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, që bashkë me Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Polici, drejtorinë për hetimin e krimeve kibernetike në Polici dhe Inspektoratin e Tregut, janë pjesë e kësaj Task Force, ka thënë se pas pranimit të informatave dhe punës në teren për verifikim të tyre kanë zbuluar se subjektet tregtare posedojnë mallra që dyshohet se janë të falsifikuara.

“Andaj, si rezultat i dyshimit institucionet e kompetente në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve konform kompetencave ligjore kanë planifikuar veprimet operative në terren dhe është zbatuar Plani Operativ, ku janë kontrolluar 11 subjekte tregtare në 3 regjione të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë)”, është shprehur Stavileci.

"Janë mbyllur me masë të përkohshme nga inspektorët e tregut 3 subjekte ekonomike pasi që të njëjtat konsiderohet se nuk i’u kanë mundësuar inspektorëve të kryejnë punën e tyre zyrtare", thuhet në njoftimin e Inspektoratit të MINT-it.