Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia gjuajti me armë zjarri ndaj një të dyshuari në Leposaviq që tentoi t’i godiste me veturë

Policia

Një person i dyshuar për kontrabandim me migrantë në Leposaviq ka tentuar t’i godasë me veturë disa zyrtarë policorë të Njësisë për reagim të shpejtë.

Rasti sipas Policisë ka ndodhur pasi patrulla ka tentuar ta ndalojë veturën, pasi drejtuesi i saj dyshohej për kontrabandim me migrantë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani ka thënë se pasi nuk i është bindur urdhrit të Policisë, vetura ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë, ku pastaj ka pasur edhe të shtëna me armë nga këta të fundit në drejtim të automjetit.

“Po, rasti ka ndodhur sot, janë dyshuar për kontrabandë me migrantë, zyrtarët policorë nuk janë lënduar”, ka thënë Elshani për Kohën. “Personat të cilët kanë tentuar të godasin me veturë zyrtarët policorë janë në kërkim nga Policia e Kosovës, nuk janë arrestuar, ndërsa 10 emigrantë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtutjeshme”.

KOHA është në pritje të konfirmimit edhe nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, meqë pas rastit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për Kohën se është njoftuar nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin që ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Leposaviq, ku janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri nga zyrtarët policorë që po intervenonin në një rast.

Edhe Lëndohet një polic në Leposaviq, kontrabanduesi i miellit shtiu me armë mbi Policinë Kronikë Lëndohet një polic në Leposaviq, kontrabanduesi i miellit shtiu me armë mbi Policinë

“Sipas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se incidenti ka ndodhur pasi që një i dyshuar (me automjet) shpërfilli urdhrat e policisë për ndalim dhe më pas në tentativë për të ikur, dyshohet se i ka rrezikuar policët të cilët kanë shtënë me armët zyrtare në drejtim të automjetit. Hetuesit e IPK-së së bashku edhe me hetues të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është kontaktuar edhe prokurori kompetent. Bazuar në veprimet fillestare hetimore si dhe konsultimeve me prokurorin, deri në këtë fazë nuk ka ndonjë dyshim për tejkalim të autorizimeve policore. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në njoftim.

IPK-ja ka thënë se pas konsultimit me prokurorin, në bazë të hetimeve fillestare, zyrtarët policorë nuk i kanë tejkaluar autorizimet policore.