Forcat e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM) kanë njoftuar të shtunën se i kanë goditur tre transportues iranianë të naftës bruto.
Sipas njoftimit, sulmi ka ndodhur pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike lëshoi raketa balistike drejt dy anijeve luftarake të marinës amerikane që patrullonin ujërat rajonale.
Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe shkatërrues me raketa të drejtuara iu shmangën me sukses sulmeve të shumta të paprovokuara iraniane.
Në njoftim theksohet se askush nga personeli amerikan nuk u dëmtua.
“Mesazhi për Gardën Revolucionare Islamike të Iranit le të jetë i qartë: nëse qëlloni në dy nga anijet tona, ne do të imponojmë një kosto ekonomike edhe më të lartë—duke hequr tre nga tuajat”, thuhet në deklaratën e komandantit të CENTCOM admirali Brad Cooper.
Ndërkaq Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kanë sulmuar një cisternë iraniane nafte pranë ishullit Kharg në Gjirin Persik.
Transmetuesi shtetëror i Iranit ka njoftuar se katër raketa amerikane kanë goditur një cisternë rreth 10 kilometra larg ishullit Kharg.
Ishulli Kharg është terminali kryesor i Iranit për eksportin e naftës dhe një qendër strategjikisht e rëndësishme për dërgesat e naftës së papërpunuar të vendit. Ai është shënjestruar vazhdimisht gjatë konfliktit SHBA - Iran, përfshirë sulmet amerikane ndaj objekteve ushtarake atje në mars.