Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka ngritur shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të mashtrimeve nëpërmjet internetit.
Policia e Gjilanit nëpërmjet një komunikate ka thënë se po merren masat për parandalimin e rasteve të ngjashme.
Nga Policia është thënë e vetëm kohëve të fundit janë raportuar tri raste.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan kërkon dhe bënë apel tek qytetarët, subjektet afariste të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme, por edhe kur merrni kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodheni duke kërkuar në internet të mos bini pre nga mashtrimeve të ndryshme të cilët kanë qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve tuaja nga llogari bankare dhe formave të tjera. Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi nëse llogaria i përket vërtetë personit tek i cili dëshironi të bëhet destinimi. Po ashtu duhet të bëni kujdes edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë e juaja të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë. Duke shpresuar se do të gjejmë mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve, mediave por edhe subjekteve private, sugjerojmë të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar nga ana e juaj, duke u drejtuar në mënyrë të menjëhershme në policinë e Kosovës”, thuhet nga Policia.