Kronikë

Sekuestrohen pasuritë e Ervis Martinajt

Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK) ka sekuestruar 34 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të atij që njihet si bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Sipas mediave në Shqipëri, nën sekuestro kanë përfunduar edhe pasuritë e familjarëve të tij, të cilat kapin vlerën deri në 15 milionë euro.

Mes pasurive janë sekuestruar automjete, llogari bankare, tokë dhe aksione në shumë kompani të rëndësishme.

Lëvizja e autoriteteve ka ardhur më shumë se gjashtë muaj pas zhdukjes së Martinajt.

Martinaj u raportua i zhdukur më 9 gusht të vitit të kaluar nga familjarët e tij. Ka pasur aludime se ai është zhdukur për t’i humbur gjurmët ose është rrëmbyer me pasojë vrasjen e tij.

Autoritetet në Shqipëri ende nuk kanë dalë me një konkludim nëse një nga eksponentët kryesorë të krimit viteve të fundit është gjallë apo i vdekur.