Kronikë

Një 65-vjeçar gjendet i vdekur në veturën e parkuar në QKUK

Descriptive Text

Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Foto: Ilustrim

Një person është gjetur pa shenja jete të enjten në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Avdyl Pacolli, ka thënë për KOHËN se bëhet fjalë për një 65-vjeçar, i cili ishte brenda veturës me motrën e tij.

Ai ka thënë se shkaku i vdekjes ende nuk dihet, ndërsa vdekja është cilësuar si e dyshimtë.

“Ekipi ka qenë te hyrja e dytë e SHSKUK-së, përkatësisht nga ana e stadiumit ‘Ramiz Sadiku’. Motra e vet ka qenë në veturë. Diku rreth 65 vjeç. Është cilësuar si ‘Vdekje e dyshimtë’. Ekipet mjekësore e kanë thirrur policinë. Pra është vdekje e dyshimtë me të cilën është marrë më pas policia dhe prokuroria”, ka thënë ai.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia. Zëdhënësi i këtij institucioni, Bajram Krasniqi, ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në afërsi të parkingut të dytë të QKUK-së.

“Në afërsi të parkingut të dytë të QKUK-së është gjetur një person pa shenja jete. Policia është njoftuar për rastin në orën 10:00. Policia është informuar nga motra e tij”, është shprehur ai.

Ndërsa doktoresha Nergjivane Halimi, nga Qendra Emergjente brenda QKUK-së, ka thënë se në këtë qendër nuk është dërguar trupi i asnjë personi të vdekur brenda hapësirave të QKUK-së, andaj edhe nuk janë në dijeni për rastin.

“Te ne nuk e kanë sjellë trupin, nuk e dimë nëse ka ndodhur rasti ose jo. Në rast se personi ka vdekur, vdekjen e tij mund ta konfirmojë edhe urgjenca e të dërgohet në morg”, ka theksuar ajo.

Nuk është hera e parë që Urgjenca e qytetit intervenon brenda hapësirave të QKUK-së.

Ditë më parë KOHA ka raportuar se thirrjet që Urgjenca pranon brenda SHSKUK-së për ndërhyrje, janë shpeshtuar.

“Është një mbingarkesë për Qendrën e Mjekësisë Urgjente, edhe pse realisht Qendra Emergjente, Klinika Emergjente, ka disa autoambulanca, por nuk e di çështjen e organizimit të brendshëm të atyre. Po, është shumë sfidë për neve, që të merremi brenda përbrenda kompleksit universitar të ShSKUK-së. Megjithatë kjo na është bërë në kohën e fundit përditshmëri”, ka thënë Pacolli.

Drejtori i Urgjencës ka shtuar se në dhjetor ka bërë kërkesë në ShSKUK për ndryshim të kësaj praktike.

“Akoma nuk kemi marrë një përgjigje. Sepse ShSKUK, Klinika Emergjence, konsiderojmë se ka staf të mjaftueshëm për me iu dalë në ndihmë të paktën këtyre njerëzve të cilët ndodhen brenda kompleksit të ShSKUK-së”, është shprehur Pacolli.

https://www.koha.net/arberi/363074/klinikat-sintervenojne-kur-te-hospitalizuarve-u-ndodhin-aksidente-ne-oborr-te-qkuk-se/?fbclid=IwAR1tJDDwvOtcZczz2vO_i1mp0jffm-HGrLCcwHvsA_WgvFCMqQWHQks_VG4