Arbëri

Klinikat s’intervenojnë kur të hospitalizuarve u ndodhin aksidente në oborr të QKUK-së

Klinikat e QKUK-së nuk ua japin ndihmën e parë pacientëve të tyre, kur ata përballen me lëndime a fatkeqësi gjatë kohës së hospitalizimit. Urgjenca e qytetit ka intervenuar në rastin e gruas shtatzënë, ndërsa familjarët e kanë bartur me taksi deri në Emergjencë një burrë që para dhjetë ditësh u hodh nga kati i katërt i Klinikës Torakale. Në SHSKUK nuk treguan pse mantelbardhët nuk reagojnë në këto raste, e në Urgjencë thanë se ndërhyrjet brenda kompleksit të QKUK-së u janë kthyer në përditshmëri.

Kur javën e shkuar një pacient ra nga kati i katërt i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK, familjarët ishin ata që morën një taksi dhe e dërguan deri në Emergjencë, meqë urgjenca e qytetit u vonua.

Një familjar i tij tregon se vetë mjekët i sugjeruan që ta çojë në Emergjencë.

“Është e vërtetë. Gruaja e ka thirrur taksin…. ‘Kape ta dërgojmë në Emergjencë’, thoshte doktori. I thash lëshoje. E kam marrë dhe e kam hipur në taksi, e kam çuar në Emergjencë. E kam çuar në Emergjencë gjallë. Në duar të mia ka dhënë shpirt”, ka thënë familjari.

Ndërkaq, Qendra e Mjekësisë Urgjente, e cila ndodhet jashtë QKUK-së, ishte e para që intervenoi edhe pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.

Drejtori i Urgjencës, Avdyl Pacolli, tregon se janë shpeshtuar thirrjet që pranojnë për ndërhyrje, jo vetëm brenda oborrit të QKUK-së, por edhe brenda Klinikave e Ambulancave Specialistike.

“Është një mbingarkesë për Qendrën e Mjekësisë Urgjente, edhe pse realisht Qendra Emergjente, Klinika Emergjente, ka disa autoambulanca, por nuk e di çështjen e organizimit të brendshëm të atyre. Po, është shumë sfidë për neve, që të merremi brenda përbrenda kompleksit universitar të ShSKUK-së. Megjithatë kjo na është bërë në kohën e fundit përditshmëri”, ka thënë Pacolli.

Drejtori i Urgjencës ka thënë se në dhjetor ka bërë kërkesë në ShSKUK për ndryshim të kësaj praktike.

“Akoma nuk kemi marrë një përgjigje. Sepse ShSKUK, Klinika Emergjence, konsiderojmë se ka staf të mjaftueshëm për me iu dalë në ndihmë të paktën këtyre njerëzve të cilët ndodhen brenda kompleksit të ShSKUK-së”, është shprehur Pacolli.

Në Zyrën për media të SHSKUK-së thanë se nuk kanë konfirmim nga tashmë ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, për t’i dhënë leje KOHËS për ta intervistuar drejtorin e Klinikës Emergjente.

E, Enver Murtezi, specialist i Mjekësisë Emergjente, thotë se në rastet e incidenteve të pacientëve, profesionistët shëndetësorë duhet të veprojnë në mënyrë sa më të shpejtë që të jetë e mundur dhe thekson se ndonjëherë ndihma e parë nga joprofesionistë, mund të jetë me pasoja për pacientët.

“Duhet të intervenohet sa më shpejt dhe me ekipe profesionale, mundësisht personi që e bënë reanimimin të jetë i trajnuar ta bëjë reanimimin bazik apo më e mira është të jetë specialist i mjekësisë emergjente. Në vendngjarje duhet të shikohen shenjat vitale. A ka nevojë që aty për aty të fillojë reanimimi kardio-pulmonar? T’i gjendet vija venoze, të jepet terapi, të bëhet imobilizimi i pacientit, e pastaj në mënyrë sa më profesionale të bëhet transporti me monitorim për qendrën më të afërt emergjente. Sepse jemi dëshmitarë që kur transporti nuk bëhet në mënyrë profesionale, dëmtimet mund të jenë fatale për pacientin, nga dëmtimi që të lërë invalid e deri te vdekja”, ka thënë Murtezi.

Që nga e mërkura e javës së kaluar KOHA ka kërkuar shpjegime nga SHSKUK-ja për arsyet e mosintervenimit të ekipeve të Emergjencës kur rastet ndodhin në oborrin e QKUK-së. Ky institucion nuk ka kthyer përgjigje dhe as nuk ka treguar se në cilën rregullore e mbështet këtë praktikë.