Kronikë

Paraburgim të dyshuarit që sulmoi seksualisht 11-vjeçaren

arrestim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit A.K., që dyshohet se ka sulmuar seksualisht një të mitur, 11-vjeçare.

Siç njoftoi Gjykata të mërkurën, i dyshuari me inicialet A.K., është ndaluar për 1 muaj, derisa ndalimi i tij u bë mbi dyshimin se nëse do të lihej i lirë, ai do të mund të fshehte, asgjësonte, apo të ndikonte në viktimën apo dëshmitarët e rastit.

Ky është rasti i dytë që një 11-vjeçare sulmohet seksualisht në Kosovë. Në muajin gusht është raportuar se një 11-vjeçare është dhunuar seksualisht në dy raste të ndara, nga disa persona të mitur dhe të moshës madhore. Për dy rastet e dhunimit ndaj saj, deri tani janë arrestuar 13 të dyshuar.

Fëmija dyshohet se ishte dhunuar në fund të gushtit nga pesë persona për shtatë orë. Dy prej tyre ishin të moshës së rritur. Më vonë, u ngritën dyshime se ajo ishte dhunuar dhe trafikuar edhe gjatë muajit qershor të këtij viti.

Ngjarja pati nxitur reagime të shumta, derisa për ta kundërshtuar dhunën ndaj grave janë zhvilluar edhe protesta./ksp