Botë

Papa Leoni XIV në meshën e parë: Kisha duhet të ndriçojë netët e errëta të botës

Papa Leo XIV

Papa Leoni XIV drejtoi të premten meshën e parë si udhëheqës i Kishës Katolike, duke dërguar mesazh të fuqishëm për nevojën e pranisë së Kishës në botën moderne.

Në fjalimin e mbajtur përpara kardinalëve, ai ka thënë se Kisha duhet të veprojë më shumë në vendet ku ka mungesë besimi dhe ku vlerat e teknologjisë, parasë, pushtetit e kënaqësisë po zëvendësojnë besimin.

“Ka shumë mjedise ku besimi i krishterë shihet si diçka absurde, për të dobëtit dhe të painteligjentët. Pikërisht këtu nevojitet më së shumti misioni ynë”, ka thënë Papa.

Ai shtoi se e sheh misionin e tij si përpjekje për të sjellë dritë në “netët e errëta të kësaj bote” dhe u shpreh i vendosur që të jetë një “administrator besnik” i Kishës, duke ftuar të gjithë kardinalët të ecin bashkë me të në këtë rrugëtim shpirtëror.

Në një gjest simbolik, Papa Leo XIV zgjodhi të mos përdorte altarin tradicional të Kapelës Sistine, por vendosi një altar përballë kardinalëve, si shenjë e përfshirjes dhe afërsisë.

Meshën e zhvilloi në disa gjuhë – italisht, anglisht dhe spanjisht – me leximet që përfshinin pasazhe nga Libri i Zbulesës dhe Letra e Parë e Shën Pjetrit, duke theksuar vizionin e një kishe të gjallë dhe ndërtuar mbi besimin e apostujve.

Papa Leoni XIV ka kaluar një pjesë të shërbesës së tij në Peru, dhe pjesë e meshës iu kushtua ndjekësve të tij nga Amerika Latine.

Ai e ka pasuar Papa Françeskun, i cili vdiq në prill.