Kronikë

Sulmohet seksualisht një 11-vjeçare në Drenas

Descriptive Text

Një 11-vjeçare është sulmuar seksualisht në fshatin Gllanasellë të Drenasit, ka bërë të ditur për KOHËN, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Ulaj ka thënë se i dyshuari është ndaluar. Ndaj tij pritet të caktohet masa e paraburgimit.

“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person (madhor), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Sulmi seksual’ dhe ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Viktima në ktëtë rast është e mitur”, ka thënë Ulaj.

Ky është rasti i dytë që një 11-vjeçare sulmohet seksualisht në Kosovë. Në muajin gusht është raportuar se një 11-vjeçare është dhunuar seksualisht në dy raste të ndara, nga disa persona të mitur dhe të moshës madhore. Për dy rastet e dhunimit ndaj saj, deri tani janë arrestuar 13 të dyshuar.

Fëmija dyshohet se ishte dhunuar në fund të gushtit nga pesë persona për shtatë orë. Dy prej tyre ishin të moshës së rritur. Më vonë, u ngritën dyshime se ajo ishte dhunuar dhe trafikuar edhe gjatë muajit qershor të këtij viti.

Ngjarja pati nxitur reagime të shumta, derisa për ta kundërshtuar dhunën ndaj grave janë zhvilluar edhe protesta.