Kronikë

Aktakuzë ndaj 10 të dyshuarve nga Kosova për mashtrim të shtetasve gjermanë

Descriptive Text

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë ndaj dhjetë personave, që duke vepruar nga Kosova, dyshohet se kanë mashtruar shtetasit gjermanë.

Sipas njoftimit, të pandehurit me inicialet: A.K, F.G, K.B, H.K, E.Z, A.S, Q.K, H.B, L.B dhe L.B., duke shfrytëzuar njohjen e gjuhës gjermane, nga Kosova i kanë vënë në lajthitje shumë shtetas gjermanë, kryesisht të moshës së shtyrë, duke i obliguar ata që të paguajnë shpenzime për kinse lotari të fituar nga ata.

“Me ndihmën e bashkëkryerësve të tjerë në Gjermani, kanë mashtruar shtetas të Republikës së Gjermanisë, duke i nxitur që t’ju dërgojnë të holla në shuma të ndryshme apo kuponë të Amazon.com, Inc., në atë mënyrë që përmes telefonit, i kanë thirrur të dëmtuarit, shumica të moshës së shtyrë, nga regjione të ndryshme të Gjermanisë, e pastaj duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim duke iu treguar që kinse e kanë fituar lotarinë në vlerë të madhe. Mirëpo, paraprakisht i kanë obliguar që t’i paguajnë shpenzimet, ashtu që i kanë nxitur që të dërgojnë të holla përmes bashkëpunëtorëve të tyre në Gjermani apo përmes unioneve financiare si: Moneygram, Western Union, Capital-Ria, Vllesa-Ria, në emra të ndryshëm në Kosovë apo të blejnë kuponët e Amazon-it dhe t’ju tregojnë kodet e tyre, të cilët pastaj të pandehurit i kanë shfrytëzuar për blerje personale online”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të martën.