2 perditesime
20:24

Arsimtari që vrau babanë e nxënëses u dënua para pak ditësh me 3 vjet e 6 muaj burgim për sulm seksual ndaj saj

Për vrasjen e sotme në Pejë, sherri dyshohet se kishte nisur më 27 dhjetor 2019 në një shkollë.

Arsimtari Xh.J, që dyshohet se sot në Pejë vrau babanë e nxënëses së tij, është dënuar para pak javësh nga Gjykata Themelore në Pejë me 3 vjet e gjashtë muaj burgim efektiv.

Sipas vendimit të shkallës së parë, arsimtari Xh.J. është dënuar për sulm seksual ndaj nxënëses së tij, e mitur. Vendimi është marrë më 1 prill nga Departamenti për të Mitur pranë Themelores së Pejës dhe i dënuari ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

“Më 27.12.2019 rreth orës 07:20 min., në Pejë, pikërisht në kabinetin e shkollës fillore, i pandehuri XH.J. fillon që ta prekë për qëllime seksuale nxënësen e tij të mitur, ashtu që i njëjti një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vijë në kabinet me qëllim që t’i ndihmojë për t’i nxjerrë mungesat dhe statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike pasi që arrin në shkollë, shkon në kabinet ku vjen pandehuri, i afrohet të miturës te banka dhe pa pëlqimin e saj e ngacmon, ku e mitura me forcë e shtyn të pandehurin duke e larguar nga vetja dhe me vrap del nga kabineti, shkon në shtëpi dhe njofton familjaret e saj. Me këto veprime i pandehuri XH.J. ka kryer vepër penale sulm seksual nga neni 229 par.3. nen par. 3.7 dhe 3.10 e lidhur me par. l të KPRK-së”, shkruan ë vendimin e Themelores.

Burgimi sipas Themelores, do të vuhet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pos dënimit me burgim, Themelorja ia ndaloi ushtrimin e profesionit të akuzuarit Xh.J. për pesë vjet, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Vrasja ndodhi sot në një lokal në Pejë.

17:58

Dyshohet se mësimdhënësi në Pejë vrau babanë e nxënëses së tij

Personi i cili u gjet i vrarë në një lokal në Pejë pasditen e të martës, dyshohet se u vra nga mësimdhënësi i vajzës së tij.

KOHA mëson se i dyshuari Xh.J. është mësimdhënës në shkollën fillore “Dardania” në Pejë.

Kufoma e viktimës me inicialet G.K., është tërhequr pas orës 18:00 nga vendi i ngjarjes nga njësia e mjekësisë ligjore.

Ndërkaq, i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe gjendet në arrati.

Ende nuk dihet motivi i vrasjes.

16:58

Vritet një person në Pejë

Një peson është vrarë në Pejë, në orët e pasdites të së martes. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i ka thënë KOHËS se rasti ka ndodhur në një lokal në qytet dhe se Policia e ka gjetur trupin e shtrirë, i cili dyshohet se është qëlluar me armë.

“Sot në orët e pasdite në ora 15:36, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën 'Gjon Gazulli" në një lokal në qytet të Pejës. Menjëherë ka dal në vendngjarje, aty ka takuar, hasur në një person të shtrirë i cili dyshohet se ishte i qëlluar me armë zjarri. Është njoftuar emergjenca e Qendrës së Mjekësisë Familjare, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante. Viktima është e gjinisë mashkullore", tha Gashi.