Rreth 400 kilogramë drogë e ngarkuar në Amerikën Latine dyshohet se destinacion kryesor e kishte Kosovën.
Deri tani janë të paktat informatat që janë bërë publike, por mediat në Shqipëri kanë raportuar se ky hetim është sinjalizuar nga DEA amerikane, ndërsa në operacion ishin të përfshirë policia e Italisë, për shkak se dyshohet se ngarkesa ka kaluar transit nëpër Itali, si dhe policia e Shqipërisë dhe e Kosovës.
Lloji i drogës dyshohet se është kokainë ishte ngarkuar në kamionin e kompanisë MCfood, dhe i cili ka mbërritur gjatë ditës në qytetin e Lipjanit. Kjo kompani është e regjistruar edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri. Izet Sheqiri dhe Bledar Habili janë bashkëpronarët e saj.
Kokaina është kapur në një kamion me mish, i cili vinte nga Brazili. Siç ka mësuar KOHA, droga prej tre ditësh është nisur drejt Kosovës, ku dhe është sekuestruar, ndërsa autoritetet ishin informuar për ngarkesën qysh para 15 ditësh kur mjeti transportues ishte futur në portin e Durrësit.
Për këtë aksion ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla. Nëpërmjet një postim në Facebook, ai ka thënë se Kosova me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.
Gjatë ditës është dhënë njoftimi se ishin kapur 2.2 tonë drogë, por Bahri Shala nga Policia e Kosovës e ka demantuar gjatë ditës këtë informatë. Institucionet e rendit kanë paralajmëruar më shumë hollësi për operacionin në një paraqitje publike në orën 19:30.