Kronikë

Aktakuzë ndaj 9 doganierëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.M., D.H., I.B., H.D., D.Z., J.B., M.V., A.O. dhe D.K., nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”. Kundër të pandehurve V.S., V.S., M.A. dhe L.R., nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “kontrabandimi i mallrave”, “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “tregtia e ndaluar.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.M., D.H., I.B., H.D., D.Z., J.B., M.V., A.O. dhe D.K., në periudhën kohore 07 mars 2018 - 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë - Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtar - si zyrtar doganor, gjashtëdhjetekatër (64) herë ua sigurojnë të pandehurve V.S., V.S., M.A. dhe L.R., kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë-refuz - në sasi të përgjithshme prej tetëdhjetë mijë (80.000) kilogram, Filtër për cigare “Grande” - një milion e treqind mijë (1.300.000) copë, Filtër për cigare “Gentleman” - katërqind mijë (400.000) copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar - rreth tre (3) milion euro.

Ndërsa, të pandehurit V.S., V.S., M.A. dhe L.R. akuzohen se në periudhën kohore 07 mars 2018 - 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë - Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë - refuz në sasi të përgjithshme prej tetëdhjetë mijë (80.000) kilogram, Filtër për cigare “Grande” - një milion e treqind mijë (1.300.000) copë, filtër për cigare “Gentleman” - katërqind mijë (400.000) copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, me ç’rast kanë kryer veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth tre (3) milion euro.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.