Kronikë

E regjistroi të zbrazët automjetin plot me mall, Prokuroria kërkon dënimin e doganierit

vvv

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren i ka ngritur aktakuzë I.K., i cili ka keqpërdorur pozitën si zyrtar i Doganës së Kosovës.  

Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025 në pikën kufitare në Vërmicë, zyrtari ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës. Ai duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial”,  të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët.

Pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro. 

“Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 €”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Po ashtu përveç dënimit kryesor, ka kërkuar t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.