Një kontejner me së paku 200 kilogramë kokainë është kapur në portin e Durrësit para pak minutave.
Burimet e mediave në Shqipëri bëjnë me dije se kontejneri i bllokuar i mbushur me lëndë narkotike dyshohet të vinte nga Ekuadori.
Nga kontrolli brenda në kontejner u gjetën rreth 200 pako lëndë e dyshuar kokainë. Kontejneri i përket disa personave nga Tirana, emri i të cilëve është i padëgjuar më parë për përfshirje në ndonjë vepër kriminale, gjithnjë sipas burimeve të mediave në Shqipëri, të cilat bëjnë me dije se deri tani janë deklaruar rreth 200 kg lëndë narkotike, por vijon kontrolli pasi dyshohet të ketë sasi më të madhe. Rreth 100 kg kokainë ishin fshehur në tavanin e kontejnerit
Kontejneri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija ”Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut. Anija është ankoruar paraditen e sotme në portin e Durrësit dhe nga kontrolli në njërin prej kontejnerëve me ngarkesë bananesh të shkarkuar prej saj u zbulua ngarkesa e paligjshme.
Në fillim të muajit me të njëjtën linjë trafiku u kapën dhe sekuestruan 49 kg kokainë të fshehur në kolonat e një kontejneri të ardhur me ngarkesë bananesh për llogari të kompanisë së Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt i dënuar për trafikun e 613 kg kokainë.