Kronikë

Sulmohet gazetari Valon Syla

Gjatë së martës është sulmuar fizikisht gazetari Valon Syla.

Zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se rasti është nën hetime.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen Pejton në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, tha Ahmeti.

Edhe Asociacioni i gazetarëve e ka dënuar sulmin ndaj Sylës.

“AGK kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sulmin ndaj tij e ka kritikuar edhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari. Ajo i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës të arrestojë dorasin.

“Gazetari Valon Syla njihet për mendimet ndryshe dhe sulmi ndaj tij sot është sulm ndaj mendimit ndryshe ndonëse në Kosovë është e garantuar liria e shprehjes. I bëj thirrje policisë dhe prokurorisë që urgjentisht ta gjejë sulmuesin dhe ta arrestojë dhe gjykata ta burgosë atë. Jetojmë në një shoqëri ku sulmet ndaj politikanëve merren seriozisht dhe veprohet me urgjenca të jashtëzakonshme mirëpo ka dhjetëra raste ku gazetarët janë sulmuar dhe asgjë nuk ka ndodhur. E vetmja mënyrë me ju kundërpërgjigj mendimit ndryshe është duke e shprehur mendimin ndryshe”, tha Kusari.

 

AGK dënon sulmin në drejtim të gazetarit, Valon Syla PRISHTINË, 22.12.2020 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK,...

Posted by Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK on Tuesday, December 22, 2020

Të hënën, përmes një statusi në Facebook Syla i kishte kritikuar mërgimtarët. KOHA ka kontaktuar edhe Sylën por ai nuk ka qenë i qasshëm.

{gallery}