Masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh është caktuar ndaj të pandehurit A.G. pasi dyshohet se në cilësinë e gjinekologut kishte kryer abortin te një e mitur. Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar të enjten se i njëjti po ashtu i kishte diktuar të dëmtuarës çfarë të shkruante në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit.
Sipas një njoftimi nga kjo gjykatë, i pandehuri pretendohet se nuk e kishte lajmëruar as veprën penale të dhunimit.
“Me këto veprime i pandehuri A. G. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘ndërprerja e shtatzënisë’ dhe moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se prokuroria fillimisht kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, por “pas dëgjimit të deklaratës së të pandehurit dhe të mbrojtësit të tij, ka kërkuar që të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që i njëjti i ka premtuar Gjykatës që nuk do të ndikojë në dëshmitarë”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet më tej në njoftim, ku bëhet e ditur se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Në fund të njoftimit, theksohet se më 29 shtator, Gjykata kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve të cilët dyshohet se kanë dhunuar të miturën.