Kronikë

​Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, me dyshimin për sulm seksual

Descriptive Text

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq është arrestuar nga Polica e Kosovës me dyshimin se në vendin e tij të punës ka sulmuar mbrëmë seksualisht një 23-vjeçare.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se rasti ka ndodhur në Spitalin e Pejës dhe se është arrestuar një person. Ai nuk ka zbuluar identitetin e tij, por KOHA merr vesh se bëhet fjalë për ish-ministrin Baliq.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orësh, gjithashtu Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha Nikçi.

Rasti ka ndodhur të mërkurën mbrëma. Për këtë ka njoftuar edhe Policia në raportin 24-orësh.

Ndryshe, ish-ministri Numan Baliq kohë më parë ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në spitalin ku punon.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, me çka dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar një praktikante në Spitalin Rajonal të Pejës, shkruan KP-ja.