Drejtuesit e Spitalit të Pejës nuk e kanë pritur siç patën thënë plotfuqishmërinë aktgjykimit ndaj kirurgut të këtij spitali Numan Baliq, duke marrë vendim që ai të suspendohet nga puna.
Gjykata Themelore e Pejës javën e kaluar ka shpallur fajtor ish-ministrin e Shëndetësisë, Numan Baliq, për vepër penale sulm seksual, të cilin e ka dënuar me dy vjet burgim dhe me dënim plotësues ndalim të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej dy vjet.
Drejtori Haliti tregon arsyen pse e morën vendimin më herët.
“Menaxhmenti i spitalit ka vendosur që doktor Numan Baliqi, për shkak të vendimit që ka sjellë Gjykata Themelore në Pejë të suspendohet në periudhën kohore derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm”, tha Haliti, drejtor mjekësor në Spitalin e Pejës.
Në momentin se ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm, Haliti tha se kirurgu Baliq do të përjashtohet krejtësisht prej pune nga Spitali i Pejës.
Për suspendimin e tij nga puna deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, KOHA ka kontaktuar me telefon kirurgun Baliq, i cili e konsideroi atë të padrejtë.
“Nuk mund ta marrin këtë vendim, sepse vendimi i gjykatës nuk është i plotfuqishëm”, tha Baliq.
Edhe
Ish-ministri Numan Baliq dënohet me dy vjet burgim për sulm seksual, paralajmëron ankesë
Baliq gjithashtu e ka konsideruar të padrejtë edhe aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, ndaj të cilit tha se do të ankohet në Apel.
Numan Baliq ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore e Pejës se natën e 12 gushtit të vitit të kaluar, derisa ishte në detyrë të kujdestarisë në Spitalin e Pejës, e kishte sulmuar seksualisht në zyrën e tij nënën e një foshnje të hospitalizuar.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Baliq, ishte akuzuar edhe në vitin 2018 me dyshimet se kishte ngacmuar seksualisht një praktikante në spital.
-
Ish-ministri i Shëndetësisë dënohet për sulm seksual, i ndalohet ushtrimi i profesionit
-
Ngrihet aktakuzë për sulm seksual kundër ish-ministrit Numan Baliq
-
Paraburgim njëmuajsh ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq
-
Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, me dyshimin për sulm seksual