19:33

I vrari në Lipjan erdhi nga diaspora disa ditë më parë

Familjet Hoxha dhe Jakupi nga fshati Ribar i Madh i Komunës së Lipjanit janë duke u mbikëqyrur nga Policia e Kosovës.

Kjo, pasi që djemtë e tyre janë gjuajtur me armë zjarri në mes të rrugës kryesore në fshatin Hallaq i Madh, ndërkaq nga plagët e marra ka mbetur i vrarë një 25-vjeçar, i cili para pak ditësh kishte ardhur nga diaspora dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Të gjithë të plagosurit janë duke u trajtuar në QKUK, derisa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia e Kosovës ka kryer edhe bastisjet në dy familje në të cilat kanë gjetur vetëm thika dhe shufra të metalit.

Derisa familjarët nuk kanë pranuar të flasin, të afërmit e tyre kanë thënë se këto dy familje nuk kanë pasur ndonjë problem në të kaluarën.

Komandanti i policisë në Magure, Naser Karpuzi, ka thënë se sipas informatave të para, mësohet se motivet e kësaj ngjarjeje janë familjare.

Ai ka thënë se hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

18:34

Ndalohen tetë persona lidhur me vrasjen në Lipjan

Prokuroria në Prishtinë ka ndaluar tetë persona, të përfshirë në rastin e vrasjes në Hallaq të Lipjanit, është bërë e ditur përmes një njoftimi për medie.

Ata po mbahen në dyshimin se njëri prej tyre ka kryer “vrasje të rëndë në tentativë”.

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Hallaq. Si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy familjeve, një person nuk u ka mbijetuar plagëve të marrë nga arma e zjarrit.

Pesë të lënduar ndërkaq, janë dërguar për trajtim në QKUK.

12:17

Të plagosurit në Lipjan në gjendje të rëndë shëndetësore

Të gjithë të plagosurit në Hallaq, janë në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa 3 nga ta janë në gjendje më kritike e që janë duke u operuar, ka thënë Naser Syla, mjek në QKUK.

Ndërkaq, Naser Karpuzi, komandant i policisë në Magure, tregoi se motivet e plagosjes që përfundoi me një të vdekur, janë familjare, raporton KOHA.

“Deri tash kemi marrë informatë se në fshatin Hallaq ka ndodhur një incident në mes të dy familjeve. Sipas informacioneve që kemi, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë të lënduar. Është kryer bastisja nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Motivet janë familjare. Policia po vazhdon hetimet”, tha Naser Karpuzi - komandant në stacionin policor në Magure.

10:59

Përplasja me armë në Lipjan dyshohet se ndodhi mes familjarësh

Viktima dhe 5 të plagosurit në fshatin Hallaq, janë nga Ribari i Madh i Lipjanit. Ata dyshohet të jenë të një familjeje.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se dyshime e para janë se konflikti ka ndodhur për shkak se fëmijët e tyre ishin rrahur një ditë më parë.

KOHA ka raportuar se pas një incidenti me armë zjarri, 1 person vdiq dhe 5 të tjerë po trajtohen në QKUK pas plagëve të marra.

09:29

1 i vdekur dhe 5 të plagosur me armë zjarri në Lipjan

1 person ka vdekur dhe 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një incidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Hallaq të Lipjanit.

Zëdhënësja e Policisë në Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për KOHËN se incidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me armë zjarri në fshatin Hallaq i madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një person nuk mundur t’u përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, njoftoi Ahmeti.

KOHA ka mësuar se të plagosurit janë dërguar në QKUK

Ndërsa sipas Ahmetit, aktualisht hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.