Arbëri

KEDS: Disa zona në Pejë ende pa furnizim me rrymë për shkak të kohës së keqe

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), ka njoftuar se në rajonin e Pejës, për shkak të kushteve atmosferike, disa zona po përballen me mungesë të furnimizimit me energji elektrike.

Në njoftimin e KEDS-it thuhet se dëmet e së shtunës të shkaktuara në asetet e KEDS-it prej borës janë shtuar të dielën për shkak të erërave të forta që po fryjnë në këtë rajon.

“Duke u bazuar në dëmet dhe kohën e keqe që po bën, KEDS-i ka rritur numrin e ekipeve, të cilat ndodhen në terren gjatë gjithë kohës, megjithatë janë disa zona ku erërat e forta po e vështirësojnë intervenimin. Në rajonet e prekura dje nga të njëjtat kushte atmosferike, gjendja me furnizim me energji elektrike është përmirësuar dukshëm, edhe pse gjatë ditës do të punohet edhe aty ku furnizimi nuk është rikthyer akoma”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Kjo kompani më tej ka thënë se pritet që dëmet të eliminohen përgjatë së dielës.