Arbëri

Kërkohet më shumë siguri për nxënësit e komuniteteve joshumicë në Prizren

Anëtarët e Komitetit për Komunitete në Prizren kanë vlerësuar se arsimi parauniversitar në gjuhët e komuniteteve joshumicë në këtë komunë përballet me telashe të shumta. Në këtë kuadër, si kërkesë kryesore është veçuar nevoja për shtimin e sigurisë për nxënësit, sidomos në shkollat e mesme të larta.

Para drejtoreshës së Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ata kanë përmendur sfidat lidhur me regjistrimin e nxënësve, punësimin e mësimdhënësve nga radhët e komuniteteve joshumicë, mësimnxënien e pamjaftueshme të gjuhës shqipe, nevojën për depolitizimin e udhëheqjes së shkollave, mungesën e koordinatorit për mësimin në gjuhën boshnjake, etj.

Merdzan Osmani nga radhët e NDS-it, parti kjo nga radhët e komunitetit boshnjak ka pohuar se drejtoresha aktuale e Arsimit nuk mund ta marrë barrën e dështimeve në këtë sektor, që sipas tij, janë të shumta.

“Megjithatë duhet të jemi të sinqertë dhe të themi, t'ia pranojmë vetes tonë, që kemi probleme të mëdha në arsim, në mësimin në të gjitha gjuhët, si në komunitetin shumicë ashtu edhe te komunitetet joshumicë”, ka thënë Osmani.

Sevil Kazaz nga KDTP-ja turke, është pajtuar me konstatimin se në arsim ka mjaft telashe dhe nga drejtoresha e Arsimit ka kërkuar ndërmarrjen e masave për shtimin e sigurisë në shkolla.

“Në arsim, në përgjithësi ka shumë probleme. Nëse duhet t’i veçojmë më të rëndësishmet, atëherë mund të themi se për çështjen e sigurisë së nxënësve në shkollat e mesme pranojmë shumë reagime dhe ankesa. Prandaj prej jush kërkoj që të merrni masa për rritjen e sigurisë”, ka deklaruar Kazaz.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka theksuar se në bashkëpunim me hisedarët po angazhohet për zgjidhjen e problemeve të trashëguara në këtë dikaster. Sipas saj, siguria është njëri prej objektivave të DKA-së.

"Dhe jemi duke bërë përpjekje që të jetë, nuk mund të them se mund t’i evitojmë të gjitha problemet, mirëpo t’i parandalojmë dhe evitojmë në masë të madhe mundemi. Nuk mund ta bëjë vetëm Drejtoria e Arsimit, por mund ta bëjmë bashkë: DKA, drejtorë shkollash, mësimdhënës, prindër, nxënës, komunitet, të gjithë bashkë. Kushdo që e sheh diçka që ka devijuar nga gjendja reale atëherë i plason shqetësimet e veta në Drejtori të Arsimit dhe ne i marrim masat”, është shprehur ajo.

Kryesuesi i këtij Komiteti, Ertan Simitçi, ka bërë të ditur se të gjitha çështjet e ngritura do të përfshihen në Planin e Veprimit për Komunitetet 2023-2025, për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Mësimi parauniversitar në Komunën e Prizrenit zhvillohet në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke, derisa mësimi fakultativ organizohet për gjuhën rome.